Gjurmë alkooli dhe substancash narkotike dyshohet se janë gjetur në gjakun dhe urinën e drejtuesit të një taksie ujore, e cila u përfshi në aksidentin tragjik në Venecia, ku humbën jetën Gabriella Querino Elorriaga dhe Sean Michieli.
Dy viktimat po udhëtonin me një varkë tipike veneciane, kur u përplasën nga taksia ujore në lagunën e Venecias. Lajmi është raportuar nga “Corriere del Veneto”.
Sipas të dhënave paraprake, sasitë e alkoolit dhe substancave të konstatuara nuk kanë qenë të larta, por rezultatet pritet t’i nënshtrohen analizave dhe verifikimeve të mëtejshme klinike.
Megjithatë, për drejtuesit e mjeteve ujore që transportojnë pasagjerë parashikohet detyrimi për të mos pasur në organizëm as alkool dhe as substanca narkotike.
Ndërkohë, pronari i taksisë ujore ka paraqitur pranë Zyrës së Mobilitetit të Bashkisë së Venecias një kërkesë për transferimin e licencës së transportit.
Ky veprim mund të ketë pasoja edhe në procesin e mundshëm të dëmshpërblimit për familjet e dy viktimave. Hetimi, i cili po zhvillohet për veprat penale të vrasjes në det dhe mbytjes së shkaktuar nga pakujdesia, drejtohet nga prokurorja Daniela Moroni.
Për 24 shtator është caktuar marrja e detyrës nga ekspertët që do të analizojnë provat dhe do të rindërtojnë dinamikën e aksidentit. Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu një letërporosi ndërkombëtare, me qëllim marrjen në pyetje si dëshmitarë të dy pasagjerëve që ndodheshin në taksinë ujore në momentin e aksidentit.
Bëhet fjalë për një çift amerikan, i cili në atë moment ishte duke udhëtuar drejt aeroportit të Tessera-s për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.
Top Channel
