Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Bautzen në lindje të Gjermanisë, ku një akrobate spanjolle, vetëm 27 vjeçe, humbi jetën gjatë një performance në cirkun Paul Busch. Viktima, e identifikuar si Marina B., nga Mallorca, ra nga një lartësi prej pesë metrash teksa performonte e vetme në trapez, para syve të rreth 100 spektatorëve, mes tyre shumë fëmijë.

Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite, rreth orës 17:45, në çadrën e cirkut. Sipas dëshmitarëve, atmosfera festive u shndërrua në një skenë tronditëse kur Marina humbi ekuilibrin dhe ra në dysheme. Prindërit mbulonin sytë e fëmijëve, ndërsa shumë të pranishëm u larguan nga çadra në gjendje shoku.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të stafit dhe shërbimeve të emergjencës, Marina ndërron jetë në vend si pasojë e plagëve të rënda.

Zyrtarisht, policia gjermane konfirmoi se akrobatja nuk kishte përdorur litar sigurie në momentin e performancës. Zëdhënësi Stefan Heiduck sqaroi se përdorimi i siguresave nuk ishte i detyrueshëm dhe ishte një zgjedhje personale e artistes.

Rastin e komentoi edhe Ralf Huppertz, kreu i Shoqatës Gjermane të Cirqeve, i cili u shpreh i habitur që një artiste me përvojë të madhe nuk mbijetoi nga një rënie e tillë. Ai theksoi se mund të ketë pasur ndonjë shqetësim fizik në ajër: “Ndoshta u ndje e trullosur në trapez.”

Marina, e cila kishte mbi 10 vite përvojë në cirk, ishte një emër i njohur në skenat akrobatike evropiane.