Një grua 59-vjeçare ka humbur jetën në Brazil pasi ra nga një lartësi prej rreth 30 metrash gjatë një aktiviteti ecjeje malore me grup në zonën Grutas do Spar, në qytetin e Maricá.
Sipas mediave lokale, viktima, Rosemary Suzart Garcia, kishte ndaluar në një shteg të ngushtë panoramik dhe po aplikonte ilaç kundër insekteve në këmbë kur humbi ekuilibrin dhe u rrëzua nga shkëmbi.
Dëshmitarët thanë se guida e grupit tentoi ta shpëtonte duke i kapur dorën, por nuk arriti ta ndalonte rënien. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Guida u përpoq ta mbante dhe për pak sa nuk ra edhe vetë”, deklaroi një prej pjesëmarrësve në aktivitet.
Sipas raportimeve, 59-vjeçarja ishte e pajisur me mjete mbrojtëse, përfshirë helmetë dhe pajisje të tjera sigurie, por ato nuk mundën të shmangnin pasojat fatale të aksidentit.
Autoritetet bënë të ditur se identifikimi i familjarëve të viktimës rezultoi i vështirë dhe kontaktimi me ta u bë vetëm në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Tragjedia vjen vetëm një ditë pas një tjetër aksidenti fatal në Brazil, ku një 21-vjeçare humbi jetën pasi ra nga rreth 40 metra lartësi gjatë një kërcimi me litar në shtetin e São Paulos.
