Një sulm me armë në Britaninë e Madhe këtë të martë, u ka marrë jetën 3 personave, dy prej të cilëve ishin studentë në Universitetin e Notingam.

Tre të tjerë janë lënduar po në atë zonë pak minuta pas sulmit, pasi një furgon ka tentuar t’i shtypë.

Policia britanike tha se ka arrestuar një të dyshuar, duke shtuar se dyshojnë se këto incidente janë të lidhura. Qendra e Notingamit është mbyllur për publikun dhe ka prezencë të shtuar policore. Një 31-vjeçar është arrestuar nën dyshimet për vrasje, tha policia.

Shefja e policisë në Notingam, Kate Meynell, tha se në këtë rast është përfshirë edhe ekipi kundër terrorizmit i policisë.

“Jemi në fazën e parë të hetimit dhe duhet të përcaktojmë motivet pas këtyre sulmeve”, tha ajo.
Ajo shtoi se aktualisht nuk besojnë se ndonjë person tjetër është përfshirë në këtë incident.