Një aksident tragjik ka tronditur provincën e Agrigentos në Itali, ku një çift i ri që po kalonte muajin e mjaltit humbi jetën gjatë një përplasjeje të fortë rrugore.
Viktimat janë Elisabeth Graham dhe Luke Alan Lionverger, të dy 24 vjeç, të cilët kishin zgjedhur Siçilinë për të vazhduar udhëtimin e tyre romantik pas martesës. Sipas mediave italiane, ata po lëviznin me një skuter të marrë me qira në aksin mes Sciacca dhe Ribera, kur u përplasën ballë për ballë me një automjet.
Përplasja rezultoi fatale për çiftin, i cili ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërkohë, makina e përfshirë në aksident doli nga rruga dhe u përmbys në një zonë me ullinj pranë karrexhatës.
Dy personat që ndodheshin në automjet u nxorën nga ekipet e emergjencës dhe u transportuan drejt spitalit. Raportohet se ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit fatal.
