Ka përfunduar kërkimi për Annabella Martinelli-n, 22-vjeçaren nga Padova, e cila ishte shpallur e zhdukur që prej mbrëmjes së 6 janarit.

Trupi i saj u gjet pa shenja jete në një zonë të kodrave Euganean, pranë vendit ku më herët ishte konstatuar edhe biçikleta e saj. Në vendngjarje shkuan Prokurori Publik i Padovës, karabinierët dhe mjeku ligjor, të cilët po hetojnë për të sqaruar rrethanat e plota të vdekjes.

Sipas të dhënave, Annabella ishte larguar nga banesa e prindërve në Teolo rreth orës 20:00 të datës 6 janar, duke u nisur me biçikletë drejt zonës kodrinore mbi Padova. Lëvizjet e saj janë fiksuar nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës.

Gjatë itinerarit, ajo ishte ndalur në një piceri në Selvazzano, ku kishte blerë dy pica, dhe më pas kishte vijuar rrugën drejt Teolos. Kontakti i fundit vizual me kamerat e sigurisë u regjistrua në zonën e Villa di Teolo, pak pas orës 23:00.

Biçikleta e 22-vjeçares u gjet e lidhur pranë një shtylle, ndërsa pak më larg u zbuluan edhe kutitë bosh të picave. Trupi i saj u gjet rreth 100 metra larg këtij vendi. Telefoni celular i Annabellës kishte dhënë sinjalin e fundit në zonën e kodrave, përpara se të fikjej po atë natë.

Gjatë ditëve të kërkimit, në operacion u përfshinë dhjetëra vullnetarë, forca policore, njësi me qen, dronë dhe helikopterë. Prokuroria e Padovës kishte hapur hetime edhe për mundësinë e përfshirjes së personave të tretë, por deri tani nuk ka elementë që të tregojnë praninë e tyre në vendngjarje.

Hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.