Një vajzë 8-vjeçare nga Luiziana ka humbur jetën pasi u infektua me amebën e rrallë Naegleria fowleri, e njohur si “ameba trungrënëse”. Besohet se infeksioni ndodhi pasi ajo notoi në një liqen. Lillian Smart nga Ruston ndërroi jetë pak pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të tetë, njoftuan prindërit e saj.
“Mbrëmë Lillian vrapoi nga krahët tanë në krahët e Jezusit”, shkroi familja e saj në Facebook, duke shtuar se dëmtimet në trurin e vajzës ishin shumë të rënda.
Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës njoftoi javën e kaluar se një banor i zonës dyshohej se ishte infektuar me Naegleria fowleri gjatë notit në liqenin Claiborne, rreth 48 kilometra në veriperëndim të Ruston. Ameba gjendet në ujëra të ëmbla dhe të ngrohta. Infeksioni mund të ndodhë kur uji i kontaminuar hyn përmes hundës dhe arrin në tru. Sipas autoriteteve, ajo nuk shkakton infeksion nëse gëlltitet dhe nuk transmetohet nga personi në person. Departamenti i Shëndetësisë e cilësoi infeksionin si “jashtëzakonisht të rrallë, por pothuajse gjithmonë fatal”.
