Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një 71-vjeçar ka humbur jetën pasi është hedhur nga ballkoni banesës së tij.
Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur në komunën Sesto të Milanos, gjatë një procedure dëbimi. Të moshuarit i ishte kërkuar të lironte sa më shpejt banesën, në të cilën ai kishte jetuar prej vitesh. Në momentin që përmbaruesi dhe avokati kanë mbërritur në banesë, i moshuari është ngjitur në ballkon dhe është hedhur, duke humbur jetën.
Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por fatkeqësisht nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar. Në banesë u gjet një shënim vetëvrasjeje, që dyshohet se është lënë nga vetë viktima.