Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Toledo, ku një instruktor fluturimi humbi jetën pasi u hodh nga një aeroplan në lëvizje, duke e lënë studenten e tij të përballej e vetme me kontrollin e avionit.
Viktima është identifikuar si Leandro Andrés Bertazzo, 42 vjeç. Ai ndodhej në bordin e një avioni tip Cessna 150 së bashku me një studente 22-vjeçare, e cila po zhvillonte një seancë mësimore fluturimi.
Sipas dëshmisë së studentes, pak çaste para ngjarjes instruktori i tha: “E di çfarë duhet të bësh, tani vazhdo vetë”. Më pas ai hoqi kufjet dhe rripin e sigurimit, hapi derën e avionit dhe doli prej tij.
Pavarësisht tronditjes së madhe, e reja arriti të ruante qetësinë dhe ta ulte avionin në mënyrë të sigurt, pa pësuar lëndime.
Drejtori i shkollës së fluturimit “Flying Parrot Córdoba”, Eduardo Álvarez, deklaroi se nuk kishte asnjë shenjë që Bertazzo po përjetonte një situatë të tillë. Sipas tij, instruktori kishte zhvilluar më herët gjatë ditës një fluturim tjetër me një student dhe gjithçka ishte zhvilluar normalisht.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa rasti ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik.
