Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin turistik Ubrique, në provincën Cadiz të Spanjës, ku një burrë 57-vjeçar ka humbur jetën gjatë festivalit tradicional “Toro del Gayumbo”.
Sipas mediave ndërkombëtare, viktima u përpoq të shpëtonte nga një dem i dalë jashtë kontrollit, duke u ngjitur pas hekurave të një dritareje. Gjatë përpjekjes, ai humbi ekuilibrin, ra në tokë dhe u sulmua disa herë nga demi, i cili kishte marrë emrin Mosquetero.
Pavarësisht se u transportua menjëherë drejt një qendre shëndetësore, 57-vjeçari nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes.
Autoritetet vendore shpallën ditë zie dhe anuluan shfaqjen e planifikuar të fishekzjarrëve në shenjë respekti për jetën e humbur. Ngjarja ka tronditur thellësisht komunitetin lokal dhe ka ndezur sërish debatet mbi sigurinë në aktivitetet tradicionale që përfshijnë demat.
Disa banorë dhe aktivistë kanë kritikuar vijimin e organizimit të këtyre festivaleve, të cilat, sipas tyre, përbëjnë rrezik të lartë jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për kafshët e përdorura në këto spektakle.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë maturi dhe të respektojnë dhimbjen e familjes së viktimës, ndërsa hetimet mbi incidentin janë ende në zhvillim.