Zvicra është në zi për humbjen e skiatores Sophie Hediger, e cila ka ndërruar jetë në moshën vetëm 26-vjeçare, pas një orteku në resortin e skive Arosa në Alpet zvicerane. Lajmi për vdekjen e saj u njoftua nga Federata Zvicerane e Skive, ku shefi ekzekutiv i federatës, Walter Reuscher, shprehu pikëllimin e tij: “Jemi të tronditur dhe i shprehim ngushëllimet tona familjes së Sophie. Për familjen Swiss-Ski, vdekja tragjike e Sophie Hediger hedh një hije të rëndë trishtimi mbi festat e Krishtlindjeve. Jemi thellësisht të pikëlluar. Do të mbajmë në kujtesë praninë e nderuar të Sofisë”.

Sipas informacioneve, orteku ka ndodhur gjatë skijimit, ndërsa sportistja është lokalizuar dy orë pasi janë njoftuar autoritetet. Policia e Qarkut Grisons ka nisur hetimet për rrethanat e aksidentit. Orteku ka ndodhur pas reshjeve të dendura të borës në Zvicër, të cilat ditët e fundit kishin shtuar rrezikun për ortek. Sophie Hediger kishte festuar ditëlindjen e saj të 26-të vetëm 9 ditë para ngjarjes tragjike. Ajo kishte marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin, ku konkurroi në garën e snowboard cross dhe në garën e ekipit miks. Gjatë sezonit 2023-24, Hediger pati dy dalje në podium në Kupën e Botës, me performancën e saj më të mirë që u rendit e dyta në St.Moritz në janar.