Një sulm fatal nga peshkaqeni i ka marrë jetën një 13-vjeçari në brigjet e Brazilit, duke tronditur komunitetin lokal dhe pushuesit në zonë.
Ngjarja ndodhi në plazhin Chifre, në shtetin Pernambuco, ku Deivson Rocha Dantas ndodhej në ujë bashkë me shokët e tij. Sipas autoriteteve, adoleshenti u sulmua papritur dhe u kafshua në kofshën e djathtë nga peshkaqeni.
Një dëshmitar arriti ta nxirrte menjëherë nga uji dhe i dha ndihmën e parë, ndërsa i mituri u transportua me urgjencë drejt spitalit. Megjithatë, për shkak të humbjes së madhe të gjakut, ai nuk arriti të mbijetojë. Komiteti Shtetëror për Monitorimin e Incidenteve me Peshkaqenë (CEMIT) bëri me dije se plagët ishin në një zonë shumë të ndjeshme, ku kalojnë disa arterie kryesore.
Mjeku që u mor me rastin, Dr. Levy Dalton, deklaroi se i mituri kishte mbërritur në spital pa shenja jete, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për reanimim.
Pas incidentit, autoritetet lokale kanë rritur masat e sigurisë dhe monitorimin e ujërave përgjatë bregdetit të Pernambuco-s. Në plazhin Chifre janë vendosur disa paralajmërime për praninë e peshkaqenëve, ndërsa në qytet janë instaluar gjithsej 13 tabela paralajmëruese për pushuesit.
