Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e fundit në një banesë dykatëshe në komunën Castel D’Azzano, në provincën e Veronës, ku një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar vdekjen e tre oficerëve të karabinierëve.

Sipas burimeve paraprake, oficerët ndodheshin në vendngjarje për të kryer një operacion evakuimi, kur ndodhi shpërthimi që çoi në shembjen totale të ndërtesës, duke i zënë poshtë efektivët e sigurisë.

Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë, por fatkeqësisht nuk arritën të shpëtojnë jetën e tre karabinierëve.

Ndërkohë, një grua është dërguar në spital me plagë të rënda dhe dyshohet se mund të ketë lidhje me shkaktimin e shpërthimit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të ngjarjes.