Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qendër të Madridit pasditen e së martës, ku një ndërtesë gjashtëkatëshe në proces rikonstruksioni u shemb, duke shkaktuar katër viktima dhe tre të plagosur.
Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi në lagjen “Opera”, rreth orës 13:00, kur kati i sipërm i ndërtesës u rrëzua, duke marrë me vete edhe katet e tjera. Viktimat janë tre punëtorë ndërtimi nga Ekuadori, Mali dhe Guinea, si dhe një arkitekt 30-vjeçar. Të gjithë ishin të punësuar nga kompania ndërtuese “ANKA”.
Punonjësit e emergjencës, përfshirë zjarrfikësit, policinë, qen kërkimi dhe dronët, punuan gjatë gjithë natës për të nxjerrë trupat nga rrënojat. Një pllakë betoni, me peshë rreth 8 ton, dyshohet të jetë shkaku i shembjes që nisi zinxhirin tragjik.
Tre persona të tjerë u plagosën, njëri prej tyre më rëndë, por pa rrezik për jetën. Ndërtesa, e ndërtuar në vitin 1965, ishte në proces transformimi nga ish-zyra në hotel. Raportet e mëparshme teknike e kishin klasifikuar strukturën si “të pafavorshme” për shkak të problemeve me fasadën dhe sistemet e brendshme.
Hetimet për zbardhjen e plotë të shkakut të shembjes po drejtohen nga Policia Bashkiake e Madridit, ndërsa autoritetet spanjolle kanë premtuar transparencë të plotë për këtë tragjedi që ka tronditur kryeqytetin.