Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të enjte në Itali, ku tre persona kanë humbur jetën.

Mësohet se një shpërthim i fuqishëm shkatërroi një fabrikë përpunimi mbeturinash, në provincë në Caserta. Sipas mediave vendase, viktimat janë tre punëtorë, mes tyre edhe pronari i kompanisë, të cilët po punonin pranë një depoje kur ndodhi shpërthimi. Një person i katërt rezulton ende i zhdukur, ndërsa dy të tjerë janë plagosur lehtë.

Shpërthimi besohet se është shkaktuar nga vala e goditjes, e krijuar nga një rezervuar me vaj të përdorur, që u hodh në erë duke shkaktuar një tronditje të fortë në zonë. Sipas dëshmive paraprake, punëtorët janë hedhur disa metra në ajër nga fuqia e shpërthimit.

Në vendngjarje ndodhen disa ekipe zjarrfikësish dhe autoritetet po vijojnë operacionet për kërkimin e personit të zhdukur dhe për të hetuar rrethanat e ngjarjes.