Një grabitje e dhunshme e ndodhur në provincën e Vareses, në veri të Italisë, ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e njërit prej autorëve të dyshuar.
Sipas mediave italiane, viktima është një 37-vjeçar, pjesë e një familjeje nomade, i cili u plagos rëndë gjatë një përleshjeje me pronarin e banesës që tentoi të grabiste. Ngjarja ndodhi kur dy persona hynë me forcë në një apartament, pasi thyen derën e hyrjes.
Brenda banesës, grabitësit u përballën me pronarin, duke u përfshirë në një konflikt fizik. Gjatë përleshjes, pronari i shtëpisë u godit disa herë me grushte në fytyrë, ndërsa njëri prej grabitësve mbeti rëndë i plagosur, dyshohet si pasojë e një goditjeje me thikë.
Pas incidentit, dy grabitësit u larguan nga vendngjarja me ndihmën e një personi të tretë që i priste jashtë me automjet. Duke parë gjendjen kritike të 37-vjeçarit, ata dyshohet se e lanë atë pranë spitalit të Magentas dhe u larguan. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, i plagosuri humbi jetën pak pas mbërritjes në spital.
Edhe pronari i banesës mbeti i lënduar nga dhuna fizike dhe ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët e përfshirë.
