Tetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, humbën jetën në një ngjarje tronditëse që ndodhi në shtetin e Michiganit, në Shtetet e Bashkuara. Trupat e viktimave u zbuluan brenda një banese pasi zjarrfikësit arritën të shuanin flakët që kishin përfshirë ndërtesën.
Sipas mediave amerikane, hetimet paraprake kanë zbuluar se disa prej viktimave kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Për këtë arsye, autoritetet po hetojnë seriozisht mundësinë që bëhet fjalë për një rast vrasjeje të ndjekur nga vetëvrasja.
Ngjarja ndodhi në zonën e Grand Haven Township, pranë bregut lindor të liqenit Michigan, rreth 40 kilometra në perëndim të qytetit Grand Rapids.
Pas neutralizimit të zjarrit, ekipet e emergjencës dhe policia hynë në banesë, ku u përballën me skenën tragjike. Procesi i identifikimit të viktimave vijon ende, ndërsa ekspertët mjeko-ligjorë po punojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes për secilin prej tyre.
Autoritetet kanë bërë të ditur se gjashtë fëmijët e përfshirë në këtë tragjedi besohet të kenë qenë nga 5 deri në 15 vjeç. Hetuesit po mbledhin prova dhe po analizojnë të gjitha rrethanat për të zbardhur plotësisht ngjarjen, ndërsa deri tani nuk është përjashtuar asnjë pistë hetimore.
