Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Algjeri ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu një jetimore në lindje të kryeqytetit Algjer. Sipas një zyrtari të Shërbimit të Mbrojtjes Civile, zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit në një institucion për fëmijë në zonën Mohammadia të Algjerit.

“Ekipet e zjarrfikësve kanë vijuar përpjekjet për shuarjen e flakëve”, deklaroi Karim Ben Fahsi, zëdhënës i Shërbimit Algjerian të Mbrojtjes Civile.

Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Më herët, Shërbimi i Mbrojtjes Civile bëri të ditur se ekipet e shpëtimit kishin evakuuar pesë persona me nevoja të veçanta nga godina dhe i kishin transportuar në një zonë të sigurt. Autoritetet vijojnë operacionet në vendngjarje, ndërsa bilanci i viktimave mund të ndryshojë.