Zyrtarët lokalë në Kaliforni janë paralajmëruar të përgatiten për 30 ditë operacione të intensifikuara të Zyrës Amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në zonën e Los Angeles, në një kohë kur qyteti po përballet me valë të reja protestash dhe tensionesh të larta.

Kongresmenja demokrate Nanette Barragán, e cila përfaqëson një pjesë të rrethit të goditur nga trazirat e fundjavës, deklaroi të dielën në një intervistë për CNN se ky aktivitet i paralajmëruar, i kombinuar me vendimin e presidentit Donald Trump për të vendosur 2,000 trupa të Gardës Kombëtare në qytet, mund të përshkallëzojë më tej situatën.

“Na është thënë të përgatitemi për 30 ditë të zbatimit intensiv nga ICE. Këto 2,000 trupa në terren janë shqetësuese. Kjo mund ta ndezë edhe më shumë situatën,” tha Barragán në emisionin “State of the Union”.

Protestat që nisën në qytetin Paramount u përhapën me shpejtësi në të gjithë Los Angeles gjatë fundjavës, me mijëra qytetarë që mbushën rrugët për të protestuar kundër operacioneve të ICE. Situata doli jashtë kontrollit të shtunën kur protestuesit u përleshën me agjentë federalë pas një bastisjeje në një pikë të Home Depot. Në qendër të qytetit, protestuesit bllokuan autostradën 101 dhe disa automjete u vunë në flakë në një skenë kaotike.

Në lagjen Compton, forcat e rendit u përplasën me protestuesit mes tymit dhe thirrjeve për drejtësi, ndërsa dhjetëra persona u arrestuan. Agjentët e ICE-së u panë duke përdorur mjete të blinduara për të shpërndarë turmat, në një ndërhyrje që u përshkrua nga dëshmitarë si “luftë rrugësh”.

Barragán u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë në mënyrë paqësore: “Njerëzit kanë të drejtë të jenë të zemëruar dhe të protestojnë, por duhet të sigurohemi që kjo të mos përkthehet në dhunë. Ne e dënojmë fuqishëm çdo akt dhune.”

Ndërkohë, autoritetet federale nuk kanë komentuar ende mbi përmasën e plotë të operacionit të ICE që pritet të zgjasë për një muaj të tërë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje mbi shkallën dhe qëllimin e ndërhyrjes.