Në një skenë që tërhoqi vëmendjen e mbarë botës, udhëheqësi kinez Xi Jinping, presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un qëndruan për herë të parë publikisht krah për krah gjatë një parade madhështore ushtarake në qendër të Pekinit. Parada, e cila shënoi 80-vjetorin e fitores së Kinës ndaj Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, u kthye në një spektakël të fuqisë politike dhe ushtarake të Kinës, duke e pozicionuar Pekinin si një aktor të palëkundur në formësimin e një rendi të ri botëror.

Ajo që fillimisht duhej të ishte një përkujtim historik, u shndërrua në një demonstrim të qartë të fuqisë moderne kineze dhe të rolit që Xi Jinping dëshiron për vendin e tij në arenën globale. Në praninë e 50 mijë të ftuarve në Sheshin Tiananmen, trupat e Ushtrisë Çlirimtare Popullore parakaluan me një saktësi të jashtëzakonshme, ndërsa publiku duartrokiste shfaqjen e teknologjive më të fundit ushtarake, përfshirë një raketë të re balistike ndërkontinentale, sisteme lazeri, raketa hipersonike dhe dronë robotikë me formë qensh luftarakë. Kori, që qëndronte në formacion të rregullt, këndonte “pa Partinë Komuniste, nuk ka Kinë moderne”, duke e lidhur drejtpërdrejt zhvillimin e vendit me lidershipin e Xi.

Një nga momentet më të spikatura të ditës ndodhi përpara fillimit të paradës, kur Xi përshëndeti Kim Jong Un me një shtrëngim të gjatë duarsh dhe më pas përqafoi Vladimir Putinin. Të tre udhëheqësit ecën së bashku drejt tribunës për të ndjekur nga afër paradën – një moment i ngarkuar me simbolikë politike, që u lexua nga shumë analistë si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit dhe sidomos ndaj Shteteve të Bashkuara. Xi u shpreh se Kina është “në anën e duhur të historisë”, duke dhënë sinjalin se vendi i tij është gati të marrë përgjegjësi të reja globale, jo vetëm si një superfuqi ekonomike, por edhe si një faktor politik dhe ushtarak në rritje.

Për analistët ndërkombëtarë, kjo paradë nuk ishte vetëm një mesazh për përvjetorin historik, por një deklaratë e fuqishme e ambicieve globale të Kinës. Në një kohë kur SHBA-ja po tërhiqet nga disa prej institucioneve ndërkombëtare që dikur i udhëhiqte, Xi Jinping po kërkon të mbushë boshllëkun e krijuar dhe ta paraqesë veten si një udhëheqës të rendit të ri botëror. Bashkëpunimi gjithnjë e më i ngushtë me Rusinë dhe Korenë e Veriut, dhe afrimi strategjik me vende si India, tregojnë se Kina po ndërton aleanca të reja përtej strukturave tradicionale të udhëhequra nga Perëndimi.

Në aspektin ushtarak, kjo paradë dëshmoi se Kina ka përparuar ndjeshëm në zhvillimin e teknologjisë moderne të luftës. Ekspertët vlerësojnë se në disa fusha, si armët hipersonike dhe inteligjenca artificiale, Kina i ka kapërcyer tashmë kapacitetet e SHBA-së. Kjo përfshin armë si YJ-17 dhe YJ-19, raketa të avancuara hipersonike, si dhe dronë nënujorë me kapacitet bërthamor. Edhe pse arsenali bërthamor i Kinës është më i vogël se ai i Rusisë dhe Amerikës, ai po rritet me ritme të shpejta, jo vetëm në numër, por edhe në sofistikim dhe lëvizshmëri.

Në fund të paradës, një fluturim ajror impresionues dhe mijëra pëllumba e tullumbace të lëshuara në qiellin e Pekinit përmbyllën atë që mund të konsiderohet si një nga shfaqjet më të forta të fuqisë së re globale. Xi Jinping nuk e fsheh më ambicien për ta vendosur Kinën në qendër të zhvillimeve botërore, dhe shfaqja e tij përkrah dy prej udhëheqësve më të izoluar dhe të sanksionuar në botë e përforcon këtë mesazh. Kina nuk po i druhet më përplasjes me Perëndimin përkundrazi, po kërkon ta udhëheqë një botë ku rregullat po rishkruhen.//BBC