ota ishte sot me sytë nga Sheshi Tiananmen në Pekin, ku u zhvillua një paradë madhështore ushtarake, e cila nuk shënoi vetëm 80-vjetorin e fitores së Kinës ndaj Japonisë në Luftën e Dytë Botërore por u bë gjithashtu një shfaqje e qartë e aleancave të reja gjeopolitike.
Në qendër të vëmendjes ishin Presidenti i Kinës Xi Jinping, Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, të cilët u takuan publikisht për herë të parë që prej nisjes së luftës në Ukrainë dhe tensioneve me Perëndimin.
Pjesë e këtij eventi ishte një shfaqje e fuqishme e teknologjisë ushtarake kineze, përfshirë: Raketa balistike bërthamore, Armë me lazer, Dronë të avancuar të komanduar nga inteligjenca artificiale, “Ujqër robotikë” me katër këmbë, të aftë për zbulim dhe sulm
Mbi 50,000 njerëz ishin të pranishëm në shesh, ndërsa Xi përshëndeti trupat nga çatia e automjetit të tij zyrtar dhe mbajti një fjalim ku paralajmëroi se “bota nuk duhet të rikthehet te ligji i xhunglës, ku i forti sundon mbi të dobëtin” një deklaratë e lexuar gjerësisht si kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.
Ndërsa 26 krerë shtetesh morën pjesë, shumica e udhëheqësve perëndimorë zgjodhën të mos marrin pjesë, duke e parë paradën si një sinjal të qartë sfide nga Pekini, Moska dhe Pheniani.
Pas paradës, Putin dhe Kim zhvilluan një takim dy orë e gjysmë, i mbyllur me përqafime dhe shtrëngime duarsh. Sipas burimeve, Putin e ftoi Kim Jong Un në një vizitë në Rusi, ndërsa dy liderët diskutuan për rolin e Koresë së Veriut në përpjekjet ruse në Ukrainë.
Ky takim shihet si një sinjal alarmi për Perëndimin, në një kohë kur bashkëpunimi ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut po rritet, ndërsa Kina po pozicionohet si një fuqi që kërkon të sfidojë dominimin amerikan në skenën globale.//BBC