Një operacion i dyshuar rus në Arktik ka vënë në lëvizje disa vende të NATO-s.
Tre nëndetëse ruse u zbuluan pranë arkipelagut Svalbard të Norvegjisë, ndërsa sipas zyrtarëve perëndimorë ato po kryenin stërvitje që mund të lidhen me sabotimin e kabllove kritike nënujore.

Sipas Reuters, që citon dy zyrtarë perëndimorë, operacioni drejtohej nga GUGI, struktura sekrete ruse e specializuar në operacionet nënujore.

Tre nëndetëset u ndoqën nga Britania, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat bashkëpunuan për t’i devijuar ato përpara përfundimit të stërvitjes.

Zyrtarët perëndimorë dyshojnë se Rusia po simulonte përdorimin e një teknologjie sekrete që mund të përdorej për dëmtimin e kabllove nënujore në rast të një konflikti me NATO-n.

Megjithatë, nuk janë bërë publike detaje mbi teknologjinë apo mënyrën e përdorimit të saj.

Gjatë operacionit nuk u dëmtua asnjë kabllo.

Pas gjurmimit të nëndetëseve, autoritetet britanike dhe norvegjeze i paraqitën Moskës informacionet e mbledhura, me synimin për të parandaluar veprime të ngjashme në të ardhmen.

Kabllot me fibra optike që shtrihen në fund të detit kanë rëndësi të madhe për komunikimet globale, pasi përmes tyre kalon pjesa më e madhe e trafikut të internetit.

Ato përdoren gjithashtu për komunikimet dhe transaksionet financiare ndërkombëtare.

Për këtë arsye, vendet e NATO-s kanë rritur monitorimin e infrastrukturës nënujore, veçanërisht pas shqetësimeve për aktivitetin rus pranë kabllove të telekomunikacionit dhe tubacioneve energjetike.

Moska ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në operacione sabotimi ndaj vendeve të NATO-s, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar mbi pretendimet e fundit.