Zoran Zaev, i cili sot mori mandatin për formimin e qeverisë pritet që sot në mbrëmje t’i dorëzojë Presidentit të Maqedonisë së Veriut dëshminë se ai e ka mazhorancën për të formuar qeverinë.


Kryetari i BDIsë, Ali Ahmeti dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev zhvilluan takim pune në atmosferë konstruktive dhe konstatuan se ekzistojnë baza të mira për përparim.


Në këtë takim morën pjesë kryetarët Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti dhe Sekretarët partiak, Lupço Nikollovski dhe Artan Grubi.


Takimi u realizua pas dhënies së mandatit të Zoran Zaev nga Presidenti Pendarovski për formimin e Qeverisë me mandat katërvjeçar. “Në takimin konstruktiv dhe produktiv që zgjati tre orë janë arritur bazat për përparim i cili çon deri te marrëveshja e koalicionit për Qeveri të re evropiane të përkushtuar në integrimet evropiane, në ekonomi, barazi dhe në sundimin e ligjit.”, thekson komunikata.


Bisedimet mes dy partive do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës në nivel të Sekretarëve partiak. Dhe siç bëjnë të ditur burime nga BDI, pritet që Zaev të shkojë së bashku me kandidatin shqiptar për kryeministër Zaser Ziberi. Zaev ka bërë të ditur se ka negociuar me disa parti për të formuar qeverinë. LSDM në një deklaratë për mediat, shprehet e bindur se kryetari i partisë Zoran Zaev do të jetë mandatari i qeverisë së ardhshme katërvjeçare.


 “Në vijim janë negociata serioze për formimin e shumicës parlamentare stabile dhe koalicionit qeverisës me mandat stabil dhe të plotë katërvjeçar. Për shkak se politikat e suksesshme të LSDM-së dhe Qeverisë që e udhëhoqi u dëshmuan edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare”, thekson LSDM.


Nga LSDM thonë se bisedimet vazhdojnë dhe ka kohë deri të premten për tu arritur marrëveshje, ndërsa nga BDI nuk japin informata.


Një burim nga partitë shqiptare, kanë bërë të ditur se në takimin e së hënës, ka shumë gjasa që të bëhet e ditur se kërkohet një drejtues shteti që të jetë shqiptar. Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për kryetarin e Kuvendit, por nëse LSDM merr kryeministrin, atëherë ka gjasa që presidenti i ri të jetë shqiptar.


Mazhoranca e re, nëse bëhet edhe më e gjerë dhe ka mundësinë e ndryshimeve të Kushtetutës, ka gjasa që të rikthejë zgjedhjen e Presidentit nga Parlamenti, siç ka qenë në vitet e para të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.


Përveç Ahmetit, edhe krerët e Aleancës Shqiptare, Zijadin Sela e Afrim Gashi gjatë ditës së djeshme kanë realizuar një takim privat me Zoran Zaevin. Por zyrtarisht


LSDM njoftoi se liderët e dy partive nuk kanë biseduar për formimin e qeverisë së re. Kjo pasi formalisht faktori politik shqiptar do të japë një qëndrim pas takimit të tyre.