Irlanda, Spanja dhe Holanda kanë njoftuar se do të bojkotojnë Festivalin Evropian të Këngës Eurovision të vitit të ardhshëm, pasi është konfirmuar se Izraeli do të lejohet të marrë pjesë në garë.

Të tre vendet ishin mes atyre që kërkuan përjashtimin e Izraelit, duke iu referuar pasojave humanitare të luftës në Gaza dhe akuzave për praktika të padrejta votimi.

Pavarësisht thirrjeve që çështja të hidhej në votim, transmetuesit pjesëmarrës vendosën të mos e diskutojnë këtë pikë. Në vend të kësaj, ata miratuan një set të ri rregullash të dizajnuara për të mbrojtur integritetin e konkursit, shkruan BBC.

Në një deklaratë zyrtare, transmetuesi holandez Avrotros u shpreh se “pjesëmarrja në rrethanat aktuale është e papajtueshme me vlerat publike që janë thelbësore për ne”.

Edhe transmetuesi spanjoll RTVE konfirmoi vendimin: “Bordi drejtues i RTVE ka vendosur që nëse Izraeli është pjesë e Eurovisionit, Spanja do të tërhiqet nga konkursi.”

Sipas RTVE, bojkotimi nënkupton gjithashtu se televizioni spanjoll nuk do të transmetojë finalen e Eurovision 2026 dhe as gjysmëfinalet paraprake.