Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin bregdetar Southport në Karolinën e Veriut, ku mbrëmjen e së shtunës një person hapi zjarr ndaj turmës së mbledhur pranë një bari buzë ujit. Nga sulmi me armë mbetën të vrarë tre persona, ndërsa të paktën tetë të tjerë u plagosën, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane.

Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 me orën lokale, në një zonë të frekuentuar me bare dhe restorante. Hetuesit thanë se autori i dyshuar ndodhej në një anije të vogël pranë bregut, nga ku papritur hapi zjarr ndaj qytetarëve dhe më pas u largua me shpejtësi.

Pas rreth gjysmë ore kërkimesh, Roja Bregdetare amerikane arriti të ndalonte dhe arrestonte autorin e dyshuar, të identifikuar si Nigel Max Edge, 40 vjeç.

Në vendin e ngjarjes po vijojnë hetimet nga disa agjenci ligjzbatuese, përfshirë Byronë Shtetërore të Hetimit dhe Gardën Bregdetare, të cilat po mbledhin prova dhe po marrin në pyetje dëshmitarët.

Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë publik identitetet e viktimave dhe nuk kanë dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.