Forcat amerikane kanë goditur një anije të dytë të dyshuar për transport të drogës në Oqeanin Paqësor, në kuadër të një fushate në rritje të SHBA-së kundër kontrabandës detare të narkotikëve, raporton BBC.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se gjatë sulmit të së mërkurës u vranë tre persona, ndërsa asnjë ushtar amerikan nuk është lënduar. Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi SHBA kishte shkatërruar një tjetër anije në Paqësor, ku mbetën të vrarë dy persona.
Sipas Hegseth, të dyja anijet dyshohet se transportonin drogë përgjatë rrugëve të njohura të trafikut në ujërat ndërkombëtare.
“Me urdhër të presidentit Trump, Departamenti i Luftës kreu një tjetër goditje vdekjeprurëse ndaj një anijeje të operuar nga një organizatë e shpallur terroriste”, shkroi Hegseth në platformën X.
“Këto sulme do të vazhdojnë, ditë pas dite. Nuk bëhet fjalë për kontrabandistë të zakonshëm, por për ‘narko-terroristë’ që sjellin vdekje dhe shkatërrim në qytetet tona”, shtoi ai.
Postimi i tij shoqërohej me një video që duket se tregon momentin kur një anije merr flakë pas goditjes nga një bombë amerikane. Në pamje më pas shihen objekte që notojnë në ujë, të cilat duket se goditen nga një valë e dytë sulmesh ajrore.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ka autoritetin ligjor për të vazhduar bombardimet ndaj anijeve në ujërat ndërkombëtare, por shtoi se mund t’i drejtohet Kongresit nëse vendos të zgjerojë objektivat në tokë.
“Na lejohet ta bëjmë këtë, dhe nëse vendosim të veprojmë edhe në tokë, mund të rikthehemi në Kongres”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.
Ai theksoi se administrata e tij është “plotësisht e përgatitur” për të zgjeruar operacionet kundër trafikut të drogës edhe në tokë, çka do të përbënte një përshkallëzim të ndjeshëm të fushatës aktuale.