Një person ka mbetur rëndë i plagosur pasi një tren mallrash ra nga një urë në Mynih gjatë natës së së premtes drejt së shtunës, në një incident të ndodhur gjatë manovrave hekurudhore. Sipas policisë gjermane, dy trena mallrash po kryenin manovra rreth orës 01:40 në lagjen Milbertshofen, në një urë mbi rrugën Schleißheimer, kur ndodhi përplasja që çoi në daljen nga shinat të njërit prej trenave.
Si pasojë e goditjes, një prej trenave u shty jashtë binarëve dhe ra nga ura, duke shkaktuar një skenë të konsideruar “të rëndë dhe të tmerrshme” nga ekipet e emergjencës. Autoritetet konfirmuan se një person është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike. Nuk janë dhënë ende detaje mbi identitetin e të lënduarit apo rolin e tij në incident.
Policia theksoi se, deri tani, nuk ka të dhëna që treni të ketë transportuar materiale të rrezikshme dhe se nuk ka rrezik për popullatën përreth. Megjithatë, hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të përplasjes. Sipas Deutsche Bahn, ngjarja ka ndodhur në një segment hekurudhor të dedikuar vetëm për trenat e mallrave, ndaj nuk priten ndikime në trafikun e pasagjerëve. Ndërkohë, operacionet për heqjen e vagonëve pritet të zgjasin dhe mund të ndikojnë në mbylljen e pjesshme të zonës deri në fundjavë.
