Në një hap të rëndësishëm diplomatik, Mbretëria e Bashkuar ka shpallur njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës, duke iu bashkuar Kanadasë dhe Australisë në përpjekjen ndërkombëtare për të rigjallëruar shpresën për paqe në Lindjen e Mesme dhe për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi:
“Sot, për të rikthyer shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, dhe për një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës.”
Vendimi i Britanisë pason shpalljet e ngjashme nga Kanadaja dhe Australia. Kryeministri kanadez, Mark Carney, theksoi se njohja e Palestinës është një hap drejt ndërtimit të një të ardhmeje paqësore për të dy popujt, ndërsa kryeministri australian, Anthony Albanese, e cilësoi këtë si pjesë të një angazhimi të përbashkët ndërkombëtar për paqe të qëndrueshme.
Këto tre shtete Kanadaja, Australia dhe Britania janë të parat nga grupi i vendeve më të industrializuara të botës (G7) që ndërmarrin një vendim të tillë historik. Shpallja u bë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Vendimi i Londrës erdhi pas paralajmërimit të Starmer se njohja e Palestinës do të bëhej nëse Izraeli nuk do të ndërmerrte hapa konkretë për armëpushim të qëndrueshëm dhe përmirësimin e situatës humanitare në Gaza.
Aktualisht, gjendja në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm me ofensiva të reja ushtarake, mungesë të thellë ushqimi dhe akuza të rënda për shkelje të të drejtave të njeriut.
Ky bashkëvendim i tre shteteve pritet të rrisë presionin ndaj komunitetit ndërkombëtar për të njohur të drejtat legjitime të popullit palestinez dhe për të hapur rrugën drejt një procesi të vërtetë paqeje.