Incident dramatik në fluturimin FZ1073 të Flydubai, i cili po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit, por u detyrua të kryente një ulje emergjente në Arabinë Saudite pas një incidenti në kabinën e pilotit. Avioni u ul në aeroportin e Tabukut, ndërsa pamjet e publikuara nga mediat izraelite tregojnë pasagjerët duke duartrokitur dhe kënduar, dukshëm të lehtësuar pasi avioni zbriti në tokë.

Fluturimi kishte transmetuar një sinjal rreziku, duke shkaktuar alarm te autoritetet izraelite, të cilat fillimisht morën në konsideratë edhe mundësinë e një rrëmbimi të avionit.

תיעוד מהמטוס שנחת בסעודיה: “השתלטנו על המחבלים. כל מי ששומע אותי – אנחנו צריכים עזרה”https://t.co/qp31UziuJB@NoganNir pic.twitter.com/Od4nR7c4Vq

— חדשות 13 (@newsisrael13) September 30, 2026

🚨✈️🇦🇪🇮🇱 Un vol Flydubai reliant Dubaï à Tel-Aviv a déclenché le code d’urgence signalant un possible détournement alors qu’il transportait environ 180 passagers.

L’appareil a été dérouté vers l’Arabie saoudite. pic.twitter.com/JCAcaidYT0

— KRONIK Insights (@KRONIKInsights) September 30, 2026


Një prej pasagjereve, e identifikuar vetëm si Meital, i tha Kanalit 12 të Izraelit se një anëtar i ekuipazhit në kabinën e pilotit ishte përpjekur të shkaktonte rrëzimin e avionit dhe se pasagjerët ndërhynë për ta ndaluar.

Ajo tha se bashkëshorti i saj ishte mes personave që u përfshinë në neutralizimin e tij. “Dikush bërtiti ‘thikë’ dhe burri im e kuptoi menjëherë se çfarë po ndodhte. Ai vrapoi në pjesën e përparme të aeroplanit dhe së bashku me izraelitë të tjerë e neutralizuan terroristin”, tha ajo. “Kishte plagë thike dhe shumë gjak”, shtoi gruaja, duke përshkruar gjendjen e pasagjerëve pas incidentit. “Jemi shumë të stresuar dhe nën presion të madh. Është shumë e vështirë për mua të flas”, u shpreh ajo.

Edhe një tjetër pasagjer, në një video të dërguar familjes së tij, foli për një person që e cilësoi si “terrorist” dhe që, sipas tij, ishte përpjekur të merrte kontrollin e avionit. Ai tha se kishte marrë pjesë në përpjekjet për ta imobilizuar dhe se personi ishte lidhur. Sipas Kanalit 12, në bordin e avionit ndodhej edhe një grup pilotësh që udhëtonin si pasagjerë, të veshur civilë. Sipas raportimeve të medias izraelite, ata ndihmuan në përballimin e situatës dhe në parandalimin e marrjes së kontrollit të avionit nga një prej pilotëve. Të njëjtin informacion e ka dhënë edhe nëna e një prej pasagjerëve, në deklaratat e saj për aeroportin Ben Gurion.

Një zyrtar izraelit, i cituar nga i njëjti publikim, pretendoi se nëse këta pilotë nuk do të kishin qenë në bord, situata mund të kishte marrë përmasa shumë më të rënda. Ai e krahasoi skenarin e mundshëm me sulmet e 11 shtatorit 2001 ose krizën e pengjeve në Entebbe në vitin 1976. Ky pretendim, megjithatë, nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ndërkohë, sipas medias izraelite Walla, piloti që po hetohet është shtetas i Omanit. Fotot e publikuara pas uljes në Arabinë Saudite tregojnë dëmtime në pjesën e bishtit të avionit, të cilat dyshohet se janë shkaktuar gjatë rënies së menjëhershme të tij në fluturim. Sipas një analize të të dhënave të fluturimit, avioni ka humbur rreth 4,360 metra lartësi brenda vetëm 37 sekondash. Pas uljes së avionit në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite, mbetet ende e hapur çështja e kthimit të pasagjerëve në Izrael.

Flydubai ka njoftuar se do të dërgojë një tjetër avion në aeroportin e Tabukut për të marrë pasagjerët dhe për të vijuar udhëtimin drejt Tel Avivit. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave izraelite, autoritetet në Jerusalem po shqyrtojnë edhe mundësinë e dërgimit të avionëve civilë ose ushtarakë izraelitë për të rikthyer pasagjerët. Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar mbi atë që ka ndodhur brenda kabinës së pilotit dhe shkaqet e incidentit.