Dy shtetas afganë përballen me 20 akuza për vepra penale seksuale.

Vajza, e cila ishte larguar nga shtëpia, rrëfeu se pasagjerët e tjerë nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte. Publiku britanik po ndjek me tronditje gjyqin ndaj dy shtetasve afganë, të akuzuar për abuzim seksual ndaj një vajze 14-vjeçare me autizëm në një tren në Britani.

Sipas Daily Mail, në gjyq janë 25-vjeçari Barialai Rahimi, nga Southall në Londrën perëndimore, dhe 29-vjeçari Mirebandurahman Sadat, nga Cricklewood në Londrën veriperëndimore. Të dy i mohojnë akuzat që përfshijnë përdhunim, sulm seksual dhe akte seksuale me të mitur.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 5 shkurt në një tren Southeastern që shkonte drejt Londrës. Sipas asaj që u paraqit në Gjykatën e Kurorës së Londrës së Brendshme (Inner London Crown Court), dy burrat e kishin parë të miturën, e cila ishte larguar nga shtëpia e saj, në një stacion hekurudhor në Kent dhe më pas e kishin ndjekur në tren.

Dëshmia: “Askush nuk na shikonte”.

Gjatë gjyqit u shfaq deklarata e filmuar që e mitura i kishte dhënë policisë.

Kur oficerët e pyetën se çfarë po bënin pasagjerët e tjerë, përgjigjja e saj ishte:“Askush nuk na shikonte. Të gjithë ishin në telefonat e tyre”.

Anëtarët e jurisë panë edhe pamjet e kamerave të sigurisë që tregonin Rahimin duke e çuar 14-vjeçaren drejt tualetit të trenit.

Vajza dëshmoi se i kishte thënë Rahimit moshën e saj të vërtetë:“Nuk dija si të thoja jo”. Dhe kur u pyet pse pranoi të ulej në prehër, ajo tha:“Ai është më i madh se unë, më i fortë dhe unë nuk mund të bëj asgjë. Unë u detyrova të beja atë që më thanë ata në mënyrë që të mos futem në një situatë të rrezikshme. Ose ata do të zemëroheshin dhe mund të bënin çfarë të donin me dhunë”.

Sipas dëshmisë së saj, kontakti i parë ndodhi para se të hipnin në tren. Rahimi filloi ta komplimentonte për pamjen dhe u përpoq t’i vinte pallton, ndërsa Sadati shikonte nga larg.

“Në fillim mendova se po sillej mirë, por pastaj vazhdoi të thoshte të njëjtën gjë. Mendova, ‘Tani po e tepron pak’”, u shpreh 14-vjeçarja.

Ajo pretendoi se 25-vjeçari, i cili iu prezantua si “Sandin”, e përqafoi dhe e puthi pa pëlqimin e saj:“Ai po qëndronte shumë afër meje dhe unë po përpiqesha t’i thoja jo. Puthja ishte e tepërt”.

Barialai Rahimi dha një deklaratë me shkrim ku mohoi krimin.

“E pyeta vajzën për moshën e saj dhe ajo më tha se ishte 17 vjeçe. Ajo dukej 17 deri në 18 vjeç, kështu që e besova. Ishte ajo që mori iniciativë. Çdo gjë që ndodhi u nis dhe u shkaktua prej saj dhe ishte konsensuale”, deklaroi abuzuesi.

I pandehuri i dytë, Mirebandurahman Sadat, gjithashtu i mohoi akuzat.

“Edhe pse kam disa probleme me kujtesën, nuk bëra atë për të cilën akuzohem. I mohoj kategorikisht krimet”, u shpreh Sadat.

Dy të pandehurit përballen me 20 akuza, pavarsisht se kanë deklaruar se janë të pafajshëm. Gjyqi në Gjykatën e Kurorës së Londrës së Brendshme pritet të zgjasë tre javë dhe ka ngritur pyetje serioze për mbrojtjen e të miturve në transportin publik.