Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë një deklaratë të fortë, duke pretenduar se Irani ka tentuar të vrasë një prej djemve të tij.

Në një intervistë të drejtpërdrejtë për Channel 14, Netanyahu tha se informacioni për komplotin ishte mbajtur i fshehtë për disa muaj dhe se kjo është një nga arsyet pse familja e tij vijon të jetë nën masa të posaçme sigurie.

“Irani shënjestroi një nga djemtë e mi. U përpoq të vriste një nga djemtë e mi. Kjo është arsyeja pse kjo siguri nuk është luks”, deklaroi Netanyahu.

Kryeministri izraelit nuk dha detaje të mëtejshme mbi mënyrën se si dyshohet se është planifikuar apo realizuar tentativa dhe as nuk bëri të ditur se cili prej djemve të tij ishte shënjestruar.

Netanyahu foli gjithashtu për nevojën e forcimit të masave të sigurisë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Ai tha se kishte komunikuar me kreun e Shin Bet, David Zini, duke kërkuar që mbrojtja të garantohej për të gjithë kandidatët për postin e kryeministrit.

Deklarata vjen në një periudhë tensionesh të forta mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa autoritetet izraelite mbeten në gatishmëri përballë kërcënimeve të mundshme ndaj zyrtarëve dhe figurave publike.