Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e së dielës në lumin Danub, pranë qytetit Baçka Palanka, në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, ku një varkë me 11 persona në bord u përmbys.
Sipas mediave lokale, në mjetin lundrues ndodheshin një shtetas serb, drejtuesi i varkës, dhe 10 shtetas kinezë. Të dhënat paraprake tregojnë se një trup i pajetë është gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit, ndërsa tre persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Në operacionin e kërkimit janë përfshirë ekipe të specializuara nga të dyja vendet fqinje, Serbia dhe Kroacia. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi shkaqet e aksidentit apo identitetin e viktimës. Kërkimet vijojnë në kushte të vështira për shkak të temperaturave të ulëta dhe rrjedhës së fortë të lumit.