Tensionet e reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë dhënë një goditje të fortë në tregjet ndërkombëtare, duke rritur frikën për një përshkallëzim të konfliktit dhe pasoja të reja ekonomike.
Çmimi i naftës Brent ka kaluar nivelin e 91 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta amerikane është rritur me rreth 1.5%, duke arritur në 87 dollarë për fuçi. Rritja e çmimeve vjen pas përshkallëzimit të përplasjeve mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për një përgjigje të fortë ndaj Iranit.
Sipas të dhënave të tregjeve, Brent arriti në 91.74 dollarë për fuçi, ndërsa investitorët reaguan me shqetësim ndaj mundësisë së një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Gjatë fundjavës, Shtetet e Bashkuara goditën raketahedhës në ishullin iranian Larak. Irani iu kundërpërgjigj me sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Përplasja ka rritur pasigurinë edhe për furnizimin global me energji, veçanërisht për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit. Irani vijon ta mbajë të mbyllur këtë rrugë strategjike detare, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë forcuar bllokadën ndaj porteve iraniane.
Pasiguria në tregjet e energjisë është reflektuar edhe në bursat botërore. Indekset kryesore në Tokio, Hong-Kong, Shangai, Londër dhe Frankfurt kanë regjistruar rënie, ndërsa investitorët shqetësohen për ndikimin që rritja e naftës mund të ketë mbi inflacionin dhe politikën monetare.
Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Trump pritet të zhvillojë një takim me drejtues të kompanive të përpunimit të naftës, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve për konsumatorët amerikanë.
Tregjet tashmë po ndjekin me vëmendje zhvillimet e ardhshme ushtarake dhe diplomatike, pasi një përshkallëzim i mëtejshëm mes SHBA-së dhe Iranit mund të sjellë rritje të reja të çmimeve të energjisë dhe presion mbi ekonominë globale.
