Një ngjarje tronditëse ka shënuar një tjetër nivel alarmant të dhunës së bandave në Suedi, ku një fëmijë vetëm 12 vjeç është ndaluar nga autoritetet pasi dyshohet se ka qëlluar për vdekje personin e gabuar gjatë një atentati me pagesë prej 20 mijë paundësh. Viktima, një 21-vjeçar, u vra brenda një automjeti në qytetin Malmö, në jug të vendit.
Fëmija ishte kontraktuar për të eliminuar një person tjetër që ndodhej në të njëjtin automjet, por për arsye ende të paqarta ka qëlluar objektivin e gabuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, teksa viktima po udhëtonte me miq në një Audi në zonën Oxie. Pas të shtënave, shoqëruesit e tij e drejtuan makinën drejt qendrës së qytetit dhe e lanë në një rrugë banimi, përpara se policia të njoftohej.
Hetimet çuan shpejt te një 12-vjeçar, i cili u identifikua si i dyshuari kryesor dhe u mor në kujdes nga autoritetet. Për shkak se është nën moshën e përgjegjësisë penale, ai është vendosur nën mbrojtje sociale, por për shkak të rëndësisë së krimit, prokuroria ka nisur procedura të posaçme ligjore dhe i ka caktuar përfaqësim juridik.
Sipas dokumenteve gjyqësore, fëmija ishte dërguar të jetonte me gjyshen që në moshën shtatëvjeçare nga shërbimet sociale. Mediat lokale raportojnë se ai është personi më i ri ndonjëherë i dyshuar për një vrasje me armë zjarri në Suedi. Autoritetet dyshojnë se kjo nuk ka qenë detyra e vetme kriminale e të miturit, pasi ai mendohet se ka marrë edhe atentate të tjera me pagesë nga rrjete kriminale.



