Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Ekuador, ku trembëdhjetë të burgosur janë gjetur të vdekur në një burg në jugperëndim të vendit.
Trupat u gjetën nga efektivët e policisë që hynë në burgun e “Maçalës”, pasi një mjet shpërthyes u aktivizua në zonën e jashtme të institucionit. Sipas mediave vendase, shkaqet e vdekjeve do të përcaktohen pas kryerjes së autopsisë.
Rreth një muaj më parë, 31 persona u vranë në këtë burg, disa prej tyre të mbytur. Në fund të shtatorit, në përleshje të armatosura humbën jetën edhe 14 të tjerë.
Burgjet në Ekuador janë shndërruar në vatra të bandave rivale të trafikut të drogës. Nga përplasjet mes tyre, që prej vitit 2021, janë vrarë gati 500 persona. Në vitin 2024, burgjet u vunë nën kontrollin e ushtrisë, pasi presidenti Daniel Oboa shpalli gjendjen e konfliktit të armatosur kundër rreth 20 organizatave kriminale të lidhura me kartelet ndërkombëtare të drogës.
Megjithatë, në gushtin e kaluar, tetë prej këtyre bandave, përfshirë edhe atë që operon në Maçala, iu rikthyen juridiksionit të policisë. Ngjarja më e rëndë në një institucion korrektues në vend u shënua në vitin 2021, kur mbi 100 të burgosur u vranë në një burg në Guajakil.




