Të paktën 31 të dënuar janë gjetur të vdekur në një burg në Ekuadorin jugor, përfshirë 27 të varur, thanë autoritetet.

Katër të burgosur u vranë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën në përleshjet midis bandave rivale në burgun El Oro në qytetin Machala, në orët e para të së dielës. Megjithatë, siç thekson BBC, disa orë më vonë rojet e sigurisë, të cilët ishin njoftuar për një shpërthim të ri dhune midis bandave, i gjetën të burgosurit të varur në katin e tretë të ndërtesës.

Përleshjet duket se janë shkaktuar nga planet për të transferuar disa të burgosur në një burg të ndërtuar rishtazi. Vetëm dy muaj më parë, në shtator, 13 të burgosur dhe një roje u vranë në të njëjtin burg në përleshjet midis bandave rivale.

Të afërmit e të burgosurve kanë bërë thirrje që bandat rivale të ndahen, ndërsa banorët e Machalës po bëjnë thirrje që burgu, i cili ndodhet në qendër të qytetit të tyre, të zhvendoset.