Një ngjarje e rëndë ka tronditur New Hampshire-n në Shtetet e Bashkuara, ku një grua 34-vjeçare dyshohet se vrau bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj, përpara se t’i jepte fund jetës.
Sipas autoriteteve, Emily Long, 34 vjeçe, u gjet pa shenja jete me një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në kokë. Hetimet paraprake sugjerojnë se ajo fillimisht qëlloi për vdekje bashkëshortin e saj, Ryan Long, 48 vjeç, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë, kanceri. Më pas, ajo ekzekutoi edhe dy fëmijët e mitur të çiftit: Parker, 8 vjeç dhe Ryan, 6 vjeç, të cilët dyshohet se janë qëlluar në kokë.
Nga tragjedia ka mbijetuar vetëm një prej fëmijëve, një vogëlush 3-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet nën kujdesin e familjarëve.
Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Megjithatë, në rrjetet sociale, Emily kishte shfaqur shpesh shenja të forta dëshpërimi dhe probleme të rënda psikologjike, sidomos lidhur me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të bashkëshortit. Vetëm dy ditë para krimit, në një video të publikuar në TikTok, ajo shprehej:
“Po përpiqem të sjell normalitet në shtëpi. Jam ndier thellësisht e dëshpëruar, thjesht u izolova dhe doja të isha pranë fëmijëve dhe burrit tim. Por kam vendosur të ndryshoj dhe ta luftoj depresionin tim për hir të familjes.”
