Rasti i rëndë i 5-vjeçares Maria Clara Aguirre Lisboa ka tronditur opinionin publik në Brazil, pasi e mitura u gjet e vdekur në një varr të mbuluar me çimento në oborrin e shtëpisë ku jetonte me nënën dhe njerkun e saj. Autoritetet kanë arrestuar nënën e saj, Luisa Aguirre Barbosa da Silva dhe njerkun, Rodrigo Ribeiro Machado, të cilët, sipas hetimeve, kanë pranuar përfshirjen në krim.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja e fëmijës ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike gjatë varrimit. Kjo përforcon dyshimet se vajza mund të ketë qenë ende gjallë në momentin kur u varros. Gjithashtu, janë konstatuar edhe dëmtime në kokë, të cilat dyshohet se janë shkaktuar para vdekjes. Trupi i pajetë u zbulua në mes të tetorit 2025 në një gjendje të avancuar dekompozimi, ndërsa autoritetet besojnë se vdekja kishte ndodhur rreth tre javë më herët.
Ngjarja doli në dritë pasi gjyshi i vajzës e raportoi të zhdukur. Shërbimet sociale kishin pasur më herët indicie për probleme në familje, përfshirë raportime për kërcënime nga njerku. Gjatë hetimeve u zbulua edhe një mesazh audio i të akuzuarit drejtuar babait biologjik të fëmijës, ku ai pretendonte se vajza kishte vdekur dhe i kërkonte të ndërpriste komunikimin.
Dy të dyshuarit përballen me akuza për vrasje të rëndë dhe fshehje të trupit, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe akuza të tjera për abuzim. Gjykata ka caktuar një seancë të re për në maj, ku pritet të vijojë procesi gjyqësor për këtë ngjarje tronditëse./ Top Channel
