Një ngjarje e rëndë, e denjë për skenarin e një filmi, ka ndodhur në Greqi.
Sipas mediave vendase, një grua 62-vjeçare është shtirur për disa muaj se nëna e saj ishte ende gjallë, në mënyrë që të përfitonte pensionin e saj prej 800 eurosh. Ngjarja ka ndodhur në Korinth, ku gruaja e kishte varrosur të ëmën në oborrin e shtëpisë për të mos zbuluar se ajo kishte vdekur.
Kur ekipet sociale njoftuan se do të shkonin në shtëpinë e saj për të kontrolluar gjendjen e të moshuarës, ajo vendosi të merrte një tjetër grua, e cila do duhej të shtirej sikur ishte nëna e saj. Por duket se këtu gjithçka shkoi keq për të.
Në momentin kur gruaja, e afërme e një fqinji, u pyet nga punonjësit socialë për emrin, ajo u ngatërrua dhe tha emrin e saj e jo atë të personit që pretendohej se ishte. Në këtë moment, gjithë mashtrimi u kuptua. Më pas, policia nisi kërkimet për trupin e të moshuarës dhe e gjeti atë në oborrin e shtëpisë.
Hetimet zbuluan se 62-vjeçarja kishte shantazhuar fqinjin, të afërmen e të cilit e mori për ta prezantuar si nënën e saj. Ajo i kishte thënë se nëna e saj ishte në azil, duke mos i treguar se ajo kishte vdekur. Por për të përfituar pensionin, nënën duhet ta kishte në shtëpi dhe prandaj duhet të përdorte një tjetër grua të moshuar që të mashtronte punonjësit socialë. Fqinji pranoi ta ndihmonte pasi ajo i tha se do të vetëvritej nëse nuk e përfitonte më pensionin.