Autoritetet në Francë kanë sekuestruar 80 000 telefona celularë në burgjet e vendit gjatë vitit të kaluar, bëri të ditur sot Ministria franceze e Drejtësisë.

Ministri Gerald Darmanin njoftoi një plan të ri zero telefona celularë në burgje, me synimin për t’i dhënë fund aksesit të të burgosurve në telefona dhe për të ndalur futjen e drogës apo sendeve të tjera të ndaluara përmes dronëve.

Sipas këtij programi, që kap vlera prej disa milionë eurosh, shumë burgje do të pajisen me grila në dritare, aparatura me rreze X dhe pajisje bllokuese që e bëjnë të pamundur përdorimin e celularëve dhe ndërpresin lidhjet e internetit.

”Ashtu siç thashë, 80 000 telefona celularë u sekuestruan vitin e kaluar, së bashku me drogë”, tha ministri gjatë një vizite në burgun “La Sante” në Paris, ku ish-presidenti Nicolas Sarkozy ndenji për tri javë.

“Më herët, punonjësit e burgut më thanë se të paktën dy të tretat e personave në ‘La Sante” konsumojnë hashash në qelitë e tyre”,  shtoi Darmanin.

“Shtresa e gjerë e popullsisë franceze, ashtu edhe oficerët e burgjeve, nuk e kuptojnë se si është e mundur të telefonosh me celular dhe të pish hashash brenda burgut”, shtoi ai.

Sipas tij, kriminelët më të rrezikshëm duhet të izolohen plotësisht nga bota e jashtme në burgjet e sigurisë së lartë.

Ai kujtoi një rast të fundit në Marsejë, ku dyshohet se një bos i lartë i drogës kishte organizuar një vrasje me porosi nga brenda burgut.

Vetëm pak muaj më parë, policia franceze sekuestroi qindra minitelefona celularë, që të dënuarit i përdornin për të vazhduar aktivitetet e tyre kriminale nga qelitë.