Një ngjarje makabre ka tronditur Italinë, një 25-vjeçare u arrestua pasi akuzohwet për vrasjen e tre fëmijëve të saj të porsalindur dhe fshehjen e trupave të tyre në shtëpi.

Ngjarja u zbulua në korrik të vitit 2024, në qytetin e Mesinës, kur nëna e të resë, e shqetësuar nga një erë e rëndë që vinte nga dhoma e vajzës, bëri një kontroll dhe zbuloi dy trupa foshnjash të mbështjellë me batanije, të vendosur në një dollap. Ajo njoftoi menjëherë policinë, që nisi hetimet.

Ekspertiza mjeko-ligjore dhe analizat biologjike vërtetuan se foshnjat kishin lindur të gjalla dhe vdekja kishte ardhur si pasojë e mbytjes. Pamjet nga kamerat e sigurisë treguan se 25-vjeçarja ndodhej vetëm në shtëpi në orët kritike të datës 8 korrik 2024, kur dyshohet se ka ndodhur lindja dhe krimi.

Hetimet zbuluan gjithashtu se në vitin 2022, e njëjta grua kishte lindur një tjetër foshnjë, të cilit gjithashtu dyshohet se i ka marrë jetën. Çifti kishte pasur mosmarrëveshje për një shtatzëni të padëshiruar, ndërsa nga hetimi i mesazheve në celular u gjetën prova që çojnë në dyshimin për një vrasje të tretë, e cila nuk ishte denoncuar më parë.

Gjatë një paraqitjeje në spital në vitin 2024, pas një gjakderdhjeje të rëndë, gruaja kishte mohuar se kishte qenë shtatzënë, pavarësisht simptomave të qarta. Një ndërhyrje kirurgjikale (kyretazh) e kryer në Poliklinikën e Mesinës përforcoi dyshimet e hetuesve, të cilët konfirmuan më pas edhe përmes analizave ADN-je që fëmijët ishin të saj.

Me urdhër të gjykatës, ndaj 25-vjeçares është vendosur masa e arrestit shtëpiak nën mbikëqyrje elektronike. Ndërkohë, i dashuri i saj është nën hetim për ndihmë dhe inkurajim në kryerjen e veprave penale.

Prokuroria italiane vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar nëse ka edhe persona të tjerë që kanë pasur dijeni apo kanë ndihmuar në fshehjen e krimeve.