Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në provincën Benevento të Italisë, ku një konflikt brenda një familjeje ka përfunduar në vrasje brutale. Sipas raportimeve të mediave italiane, një burrë 58-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij 49-vjeçare, duke e goditur disa herë në kokë dhe fytyrë me një gur, ndërsa ajo ndodhej në shtrat.

Gruaja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa autori dyshohet se ka hapur derën dhe është larguar me vrap, duke marrë me vete edhe fëmijët e mitur të çiftit.

Trupi i pajetë i viktimës është zbuluar në orët e para të mëngjesit nga anëtarë të familjes. Dyshohet se e ëma e autorit, e cila jeton në katin e parë të banesës, ka qenë ndër të parat që ka gjetur trupin e pajetë të nuses së saj dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet. Karabinierët dhe autoambulanca kanë mbërritur në vendngjarje, por mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të shpëtuar jetën e gruas.

Çifti kishte rreth 25 vite të martuar dhe pritej të festonin përvjetorin e martesës këtë vit. Ata ishin prindër të tre fëmijëve, dy prej të cilëve janë adoleshentë, 15 dhe 16 vjeç, ndërsa i treti është më i vogël në moshë. Pas krimit, autori ka marrë dy prej fëmijëve dhe është larguar në drejtim të panjohur.

Kryetari i Bashkisë së Paupisi-t, Salvatore Colletta, e konfirmoi ngjarjen dhe shprehu shqetësimin për fatin e fëmijëve të zhdukur:
“Përveç bashkëshortit të viktimës, mungojnë edhe dy fëmijët e tyre. Kjo është shqetësimi ynë më i madh. Komuniteti është i tronditur dhe i shtangur nga ajo që ka ndodhur. Bëhet fjalë për një familje që nuk kishte shfaqur probleme të dukshme dhe nuk ishte në vëzhgim nga shërbimet sociale,” u shpreh ai për mediat lokale.