Një ngjarje e rëndë që ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe ka përfunduar me shpalljen fajtor të dy burrave për vdekjen e foshnjës 13-muajshe, Preston Davy, vetëm pak muaj pas adoptimit të tij.
Pas një gjyqi tetëjavor në Gjykatën e Kurorës në Preston, juria shpalli fajtor 37-vjeçarin Jamie Varley për vrasjen e foshnjës, ndërsa partneri i tij, 32-vjeçari John McGowan-Fazakerley, u shpall fajtor për shkaktimin ose lejimin e vdekjes së fëmijës.
Gjatë procesit gjyqësor u zbuluan detaje të rënda mbi trajtimin që foshnja kishte pësuar gjatë katër muajve që jetoi me çiftin, pas adoptimit në prill të vitit 2023. Varley u shpall gjithashtu fajtor për vepra të tjera penale, përfshirë abuzim seksual ndaj një fëmije, keqtrajtim dhe përfshirje në prodhim e shpërndarje të materialeve të pahijshme me të mitur. Ndërkohë, McGowan-Fazakerley u dënua për disa akuza që lidhen me abuzimin dhe mosparandalimin e vdekjes së fëmijës.
Sipas dëshmive në gjykatë, foshnja Preston, i përshkruar nga të afërmit si një fëmijë i gëzuar dhe i shëndetshëm, ishte shtruar tre herë në spital brenda pak muajve nga adoptimi. Ai humbi jetën më 27 korrik 2023 në Spitalin Blackpool Victoria, pas një arresti kardiak.
Fillimisht, Varley pretendoi se foshnja ishte mbytur aksidentalisht në vaskë, por hetimet mjeko-ligjore e rrëzuan këtë version. Autopsia përjashtoi mbytjen si shkak vdekjeje dhe konfirmoi lëndime të shumta, të cilat u konsideruan jo aksidentale. Sipas ekspertëve, shkaku i vdekjes ishte bllokimi akut i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, i shkaktuar nga asfiksia ose futja e një objekti në gojë.
Prokuroria deklaroi se foshnja kishte qenë viktimë e një modeli sistematik abuzimi fizik dhe seksual gjatë periudhës së shkurtër që jetoi me çiftin. Rasti ka shkaktuar reagime të forta në Britani dhe ka ngritur pyetje mbi kontrollin dhe monitorimin e proceseve të adoptimit, ndërsa autoritetet kanë premtuar hetim të plotë të rrethanave të tragjedisë.
