Enzo Bettamio, 18 vjeç, një garues ndërkombëtar i kartingut, u akuzua për vrasjen e Kamonnan Thiamphanit, një gruaje 27-vjeçare.

E reja u gjet e therur në shtëpinë e saj luksoze në Stanhope Place pranë Marble Arch në Londër. Autori u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe javën e kaluar.

Sipas prokurorit i riu, i cili ka shtetësi të dyfishtë braziliane dhe italiane, mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar më 5 prill 2024 nga Los Angeles dhe brenda 24 orëve dyshohet se ka vrarë znj. Thiamphanit. Ai kishte rezervuar një dhomë për një muaj në pronën e viktimës përmes aplikacionit Airbnb.

Viktima u gjet e vdekur më 8 prill 2024 nga policia, pas shqetësimit të miqve të saj. Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi se ajo kishte pësuar plagë të shumta nga një thikë e madhe argjendi, duke përfshirë një plagë në qafë.

Sipas dëshmive të para, viktima kishte kaluar mbrëmjen e 5 prillit duke luajtur lojëra tavoline me miqtë e saj dhe u largua nga shtëpia në orët e para të mëngjesit të 6 prillit, duke përmendur një emergjencë në pronën e saj.

Rreth 13 orë më vonë, Bettamio dyshohet se mori një taksi në rrugën Bayswater drejt aeroportit, ku bleu një biletë për Dubai. Ai u ekstradua përsëri në Mbretërinë e Bashkuar më 24 prill dhe u arrestua në stacionin e policisë Charing Cross, ku u akuzua për vrasje.

Bettamio mbetet në paraburgim.