Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 28 shtator, në hotelin “Minerva” në Paestum të Italisë, ku një 27-vjeçar me origjinë ukrainase, Taras Yanyshyn, u gjet i pajetë në pishinën e strukturës ku ishte i punësuar.

Vetëm katër orë para se të gjendej i vdekur, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Taras kishte kryer një telefonatë me nënën e tij një detaj ky që po konsiderohet i rëndësishëm për zbardhjen e ngjarjes dhe po hetohet nga autoritetet italiane.

Sipas informacioneve paraprake, viktima kishte kaluar mbrëmjen me dy kolegë të tij, një burrë dhe një grua që janë në një lidhje me njëri-tjetrin. Pas përfundimit të turnit të punës, ata kishin konsumuar alkool pranë pishinës së hotelit.

Të tre personat, përfshirë edhe Tarasin, u konstatuan me plagë në trup dhe fytyrë. Dy kolegët e tij, të cilët aktualisht po hetohen në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për rrethanat, deklaruan se “kishin rënë në gjumë” dhe nuk mbanin mend asgjë nga ajo që kishte ndodhur. Ata thanë se dëmtimet i kishin marrë “duke u rrëzuar”, por ky version po konsiderohet i dyshimtë nga hetuesit.

Autoritetet kanë sekuestruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë për të analizuar momentet e fundit të jetës së 27-vjeçarit. Po ashtu, pritet rezultati i autopsisë që pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes.

Ndërkohë, familja e Tarasit – i cili ishte birësuar nga një familje italiane – ka angazhuar një avokat për të ndjekur nga afër hetimet dhe për të kërkuar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të dyshimtë.