Një zbulim tronditës është bërë në Greqi, duke shokuar opinionin publik.
Sipas mediave vendase, policia ka gjetur një fetus njerëzor brenda një shisheje prej qelqi, i cili mbahej si pjesë e një koleksioni me sende antike. Pronari kishte në zotërim dhjetëra objekte antike dhe midis tyre, ishte dhe kjo shishe qelqi.

Hetimi filloi pas një ankese nga Ministria e Kulturës në Greqisë, sipas së cilës pronari po refuzonte t’ia dorëzonte shtetit antikitetet që kishte në zotërim. Gjatë kontrollit në shtëpi, policia gjeti dhjetëra objekte që bien nën ligjin e antikiteteve, duke përfshirë vazo të lashta, libra dhe piktura, të cilat sipas autoriteteve janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Cikladeve. Megjithatë, gjetja që shkaktoi tronditje ishte një fetus njerëzor, i vendosur në një shishe qelqi.
“Gjyshi im e kishte në zotërim dhe unë e mbaja”, i tha i arrestuari policisë, duke pretenduar se të gjitha objektet i kishin ardhur nëpërmjet të afërmve dhe se ai vetë nuk ishte përfshirë aktivisht në mbledhjen e tyre.
Fetusi pritet të dërgohet në shërbimin mjeko-ligjor për të dhënë përgjigje në lidhje me origjinën e tij, ndërsa objektet e lashta do të transferohen në muzeun e Naxosit.