Një krim i rëndë ka tronditur qytetin turistik të Benidormit në Spanjë, ku një grua britanike 64-vjeçare është arrestuar me dyshimin se ka mbytur shoqen e saj 66-vjeçare gjatë një grindjeje të dhunshme në një apartament pushimi.
Ngjarja ndodhi në një kompleks privat banimi të njohur si “Anglia e Vogël”, shumë i frekuentuar nga turistët dhe emigrantët britanikë. Sipas autoriteteve lokale, viktima u gjet pa shenja jete, me kabllon e një fshese me korrent të mbështjellë rreth qafës.
Policia mbërriti në vendngjarje pas një telefonate urgjence, por ishte tepër vonë viktima kishte ndërruar jetë. Mësohet se një dëshmitare tjetër që ndodhej në apartament ka njoftuar shërbimet emergjente.
Gruaja e dyshuar për vrasje është shoqëruar fillimisht në një qendër mjekësore për ekzaminim, dhe më pas në stacionin e policisë. Mediat raportojnë se ajo ka pranuar përfshirjen në vrasje, por autoritetet nuk kanë publikuar ende emrin e saj.
Një autopsi paraprake ka konfirmuar se shkaku i vdekjes ishte mbytja. Policia ka sekuestruar kabllon e fshesës për analizë mjeko-ligjore dhe ka marrë deklarata nga dëshmitarët.
Aktualisht, një gjykatë në Spanjë është duke mbikëqyrur hetimet dhe pritet të dalë me urdhra të mëtejshëm pasi të përfundojnë raportet përfundimtare të autopsisë dhe hetimit policor.
Ende nuk është sqaruar zyrtarisht natyra e marrëdhënies mes viktimës dhe autores së dyshuar të krimit, edhe pse raportet lokale sugjerojnë se të dyja ishin në pushime në Benidorm.
Autoritetet spanjolle kanë deklaruar se hetimet janë në vazhdim dhe nuk do të jepen më shumë detaje për momentin për të mos penguar procesin gjyqësor.