Një ngjarje tragjike ka ndodhur të hënën, më 21 tetor, në qytetin Osan të Koresë së Jugut, ku një grua shkaktoi aksidentalisht një zjarr në ndërtesën ku banonte, ndërsa përpiqej të vriste një buburrec me një flakërues të improvizuar.

Zjarri rezultoi fatal për një grua rreth të 30-ave, me shtetësi kineze, ndërsa disa banorë të tjerë u shtruan në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen nga tymi.

Sipas autoriteteve koreane, gruaja përgjegjëse e cila është e re në moshë pranoi se kishte përdorur një çakmak dhe një spraj të ndezshëm për të djegur buburrecat, një metodë që kishte përdorur edhe më parë, por këtë herë situata doli jashtë kontrollit. Zjarri përfshiu shpejt banesën dhe u përhap në pjesë të tjera të ndërtesës.

Viktima, e cila jetonte në katin e pestë me bashkëshortin dhe foshnjën e sapolindur, u përpoq të shpëtonte duke hapur dritaren dhe kërkuar ndihmë. Ata arritën t’i dorëzonin foshnjën një fqinji në ndërtesën ngjitur. Bashkëshorti i saj arriti të shpëtonte, por gruaja ra nga lartësia dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në spital.

Policia ka njoftuar se do të lëshojë urdhër-arresti për gruan përgjegjëse dhe se ajo mund të përballet me akuza për zjarrvënie dhe vrasje nga pakujdesia.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rreziqet e përdorimit të flakëruesve të improvizuar një praktikë që është përhapur gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale përmes videove virale. Në një rast të ngjashëm në Australi në vitin 2018, një burrë i vuri zjarr kuzhinës duke përdorur spraj kundër insekteve në të njëjtën mënyrë.

Ndërtesa e përfshirë në zjarr përmban dyqane në katin përdhes dhe 32 apartamente në katet e sipërme. Tetë persona të tjerë janë shtruar në spital për shkak të tymit, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.