Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Itali, ku një person ka ndërruar jetë.

Mësohet se burri ka humbur jetën në aeroportin e Bergamos, “Orio al Serio” pasi është thithur nga motori i një avioni që ishte gati për t’u nisur për fluturim. Mediat vendase raportojnë se viktima hyri me forcë në pistë duke vrapuar drejt avionit që ishte në fazën e lëvizjes drejt nisjes.

Avioni i përfshirë është një Airbus A319 i kompanisë Volotea, me destinacion aeroportin e Asturias në Santiago del Monte të Spanjës. Avioni ishte duke përfunduar të ashtuquajturën manovër “pushback”, domethënë lëvizjen për t’u larguar nga vendqëndrimi.

Viktima raportohet të jetë 35 vjeç, teksa ende nuk dihen shkaqet që e çuan të futej në pistën e avionit në atë mënyrë.