Një 40-vjeçar me probleme të pjesshme në shikim është vënë në qendër të një prej proceseve më të rënda gjyqësore në Britani, pasi akuzohet për vrasjen e dy grave, përdhunimin e një tjetre dhe një seri sulmesh seksuale ndaj grave, shumica prej tyre punonjëse seksi.

Sipas mediave britanike, në Gjykatën e Londrës ka nisur gjyqi ndaj Simon Levy, të cilin prokuroria e përshkruan si një “grabitqar seksual serial” me histori të gjatë dënimesh për krime seksuale.

Prokurori Tom Little deklaroi se Levy dyshohet të ketë kryer 13 sulme seksuale nga viti 2018 deri në maj 2025. Ai ishte dënuar fillimisht në vitin 2021 për dy sulme seksuale, ndërsa në shkurt 2026 mori një tjetër dënim për 11 raste të tjera të ngjashme ndaj grave të ndryshme.

Sipas aktakuzës, një nga viktimat, një punonjëse seksi 35-vjeçare, u përdhunua brutalisht në janar 2025. Gruaja dëshmoi se i pandehuri e kishte mbytur derisa humbi ndjenjat dhe se kishte besuar se do të vdiste. Ajo tregoi se Levy i kishte mbuluar gojën dhe hundën për ta penguar të bërtiste, ndërsa më pas e kishte lënë pa ndjenja duke menduar se kishte ndërruar jetë.

Dy muaj më vonë, autoritetet britanike gjetën të pajetë 53-vjeçaren Carmenza Valencia-Trujillo në një ndërtesë të braktisur në juglindje të Londrës. Hetuesit zbuluan ADN-në e Simon Levy në trupin e saj dhe pranë vendit të ngjarjes u gjet edhe një tub metalik me gjurmë gjaku të të pandehurit.

Ndërsa në gusht të vitit 2025, sipas prokurorisë, Levy vrau edhe 39-vjeçaren Cheryl Wilkins, trupi i së cilës u zbulua i fshehur pas një muri në një parking në Tottenham. Viktima kishte dhjetëra plagë në trup, ndërsa hetuesit dyshojnë se ajo mund të ketë humbur jetën nga asfiksia.

Megjithatë, mbrojtja kundërshton akuzat, duke pretenduar se nuk ka prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë vrasjet dhe se vdekjet mund të kenë ardhur si pasojë e përdorimit të drogës. Avokatja e tij argumentoi gjithashtu se marrëdhëniet seksuale mes Levy dhe grave kanë qenë me pëlqim.

Simon Levy i ka mohuar të gjitha akuzat, përfshirë dy vrasjet, përdhunimet dhe shkaktimin e dëmtimeve të rënda trupore.